Besnik Bislimi ndërhyn kundërligjshëm në Autoritetin e Konkurrencës

Besnik Bislimi ndërhyn kundërligjshëm në Autoritetin e Konkurrencës

Zëvendëskryeministri në detyrë i Qeverisë së Kosovës, Besnik Bislimi, ka ndërhyrë në punën e Autoritetit të Konkurrencës së Kosovës.

Bislimi të enjten e 22 majit, ka ftuar në takim kryetaren e AKK-së, Naime Binaku- Isufi, nënkryetaren Kaltrina Sela, anëtaren Nafije Osdautaj si dhe drejtorin e përgjithshëm Selajdin Beqa,.

Kryetarja Binaku-Isufi ka thënë në një përgjigje për “Betimin për Drejtësi”, se me zëvendëskryeministrin Bislimi kanë diskutuar për rastet që autoriteti i ka në hetim.

Sipas saj Bislimi ka kërkuar marrjen e masave ndaj kompanive që kanë shkelur Ligjin e Konkurrencës.

“Gazetarja: Zotëri Bislimi edhe njëherë çka thatë që ka kërku prej juve si anëtar të komisionit?

Kryetarja Binaku-Isufi: Me i trajtu rastet dhe me marrë masa, me marrë vendime, vendim ndaj masave për shkeljen e konkurrencës.

Gazetarja: Për cilat raste konkretisht ka kërku ai që me u marrë vendime nga komisioni i konkurrencës?

Kryetarja Binaku-Isufi: Qat kartelin që e kanë zënë në Gjakovë, e kemi pas që u kanë dhe ne media, marrëveshja për çmimin për bukën që u rrit 60-70 cent”, ka thënë Binaku-Isufi.

Tutje, kryetarja Binaku-Isufi ka thënë se me zëvendëskryeministri Bislimi kanë diskutuar edhe për hetimin që autoriteti është duke e zhvilluar ndaj kompanisë “Devolli Corporation” dhe “Kujtesa net”.

Si dhe ka shtuar se të njëjtin e ka informuar edhe për rastet e tjera të telekomunikimit të cilat i ka në tavolinë, por për të cilat nuk po mund të marrë masa në mungesë të kuorumit.

“Gazetarja: E për rastin e “Devollëve” a ka kërku që me u marrë vendim, duke qenë se ende e keni nën hetim?
Kryetarja Binaku-Isufi: Po, po i thash unë që unë i kam 4 raste të telekomunikimeve që po më presin me marrë.

Gazetarja: Po specifikisht a ka kërkuar për rastin e “Devollëve” me “Kujtesën”?

Kryetarja Binaku-Isufi: Popo, gjithëqysh gjithqysh rastet që i kemi d.m.th, na i kemi të gatshëm krejt janë bë hetimet janë gjet provat, neve na mungon vendimmarrja që s’kemi kuorum.

Gazetarja: A i keni tregu ju që s’po mundemi me marrë vendim për “Devollët” për shkak të mungesës së kuorumit?
Kryetarja Binaku-Isufi: Po, po”.

Por, përfshirja e Qeverisë në rastet që janë duke u hetuar nga Autoriteti i Konkurrencës, dhe rekomandimet e tyre për shqiptimin e masave është veprim i kundërligjshëm.

Hulumtuesi i lartë në IKD-, Gzim Shala, thotë se kjo qasje paraqet ndërhyrje të hapur në autoritet.

“Sipas Ligjit (neni 21) “Autoriteti është agjenci e pavarur, që për punën e vet i përgjigjet Kuvendit të Republikës së Kosovës” derisa “Ndalohet çdo ndërhyrje, politike, publike ose private që mund të cenojë pavarësinë ose paanshmërinë e Autoritetit”.

Ndërkaq, sipas Ligjit Nr.06/L-113 për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe të Agjencive të Pavarura, “Njësia Përgjegjëse nuk mund të japë urdhra apo udhëzime lidhur me procedurat administrative për çështje të caktuara konkrete dhe individuale në kompetencë të agjencisë rregullatorë”. Përkundër paqartësive se cili institucion cilësohet si njësi përgjegjëse (eventualisht mund të jetë Kuvendi), Ligji thekson se as njësia përgjegjëse nuk mund të jap urdhëra apo udhëzime lidhur me procedura specifike administrative. Për këtë arsye, një qasje e tillë paraqet ndërhyrje të hapur”, ka thënë Shala.

Por, pasi i është bërë me dije kryetares së autoritetit se si institucion janë i pavarur që i përgjigjen vetëm Kuvendit të Kosovës, ka ndryshuar deklaratën duke thënë se nuk kanë raportuar.

Gazetarja: Zotëri Bislimi në takim ju ka ftuar përmes e-mailit, a qysh?
Kryetarja Binaku-Isufi: Jo veç na ka thirr kështu takim zyrtar, për çështjet edhe të energjisë, po edhe përgjithësi të rasteve?

Gazetarja: Megjithatë ju kryetare si autoriteti i konkurrencës i raportoni Kuvendit apo Qeverisë me ligj?
Kryetarja Binaku-Isufi: Na i raportojmë Kuvendit për punët dhe aktivitete por megjithatë diskutojmë edhe ne raportojmë për punët edhe Qeverisë edhe Kuvendit, por për punët dhe aktivitetet i raportojmë direkt Kuvendit.

Related Articles