Të premten, më 18 mars, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka zhvilluar një bisedë rreth dy orësh me presidentin e Kinës, Xi Jinping mbi situatën në Ukrainë.
Mediat raportojnë se presidenti kinez Xi ka thënë gjatë bisedës me Biden se “konfliktet dhe konfrontimet sikur po ndodhin në Ukrainë nuk janë në interesin e askujt”, raporton Reuters.
“Kriza e Ukrainës është diçka që ne nuk duam ta shohim”, ka thënë Xi.
Xi raportohet se ka thënë se Kina dhe SHBA-ja duhet që të zhvillojnë marrëdhënie bilaterale në mënyrë që të dyja palët të marrin përsipër përgjegjësinë për të ofruar paqe në botë.
Shtëpia e Bardha nga ana tjetër tha se biseda zgjati rreth dy orë por nuk ofruan detaje tjera.
Një ditë para diskutimit të presidentëve, sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken tha se biseda kishte për qëllim diskutimin mbi shqetësimet se “Kina është duke menduar ofrimin e ndihmës direkte ushtarake për Rusinë”.
“Biden do t’ia bëjë të qartë [presidentit kinez] Xi se Kina do të jetë përgjegjëse për të gjitha veprimet që do të ndërmarrë për të mbështetur agresionin rus dhe ne nuk do të hezitojmë të imponojmë kosto,” u tha Blinken gazetarëve më 17 mars.
“Ne jemi të shqetësuar se ata po shqyrtojnë ndihmën e drejtpërdrejtë për Rusinë në pajisje ushtarake për përdorim në Ukrainë,” tha ai.
Kina ka mohuar ekzistencën e planeve të tilla.
Moska gjithashtu njoftoi se nuk kërkoi ndihmë ushtarake nga Pekini dhe Ministria e Punëve të Jashtme kineze e quajti atë ide “dezinformim”.
Kina ka refuzuar të dënojë sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës ose ta quajë atë një pushtim dhe ka censuruar përmbajtjet në internet që janë pro-perëndimore ose të pafavorshme për Rusinë.
Edhe pse Pekini tha se njeh sovranitetin e Ukrainës, gjithashtu tha se Rusia kishte shqetësime legjitime për sigurinë që duhet të adresohen dhe bëri thirrje për një zgjidhje diplomatike të konfliktit.