Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, do ta presë të mërkurën presidentin e zgjedhur Donald Trump në Zyrën Ovale, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Një takim i tillë është i zakonshëm midis presidentit që po largohet dhe presidentit të ardhshëm dhe ka për qëllim pjesërisht të shënojë fillimin e një transferimi paqësor të pushtetit, në demokracinë amerikane.
Republikani Trump nuk e priti demokratin Biden pas fitores së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.
Ish-presidenti Trump kandidoi sërish në zgjedhjet e këtij viti dhe mundi nënpresidenten Kamala Harris. Ashtu si presidenti Grover Cleveland në fund të viteve 1800, presidenti Trump do të shërbejë dy mandate të shkëputura, si presidenti i 45 dhe 47 i Shteteve të Bashkuara.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Biden i telefonoi presidentit të zgjedhur Trump të mërkurën e kaluar për ta uruar dhe për ta ftuar të takohej në Zyrën Ovale.
Në një fjalim që mbajti të enjten, Biden tha se e kishte siguruar presidentin e zgjedhur Trump “se kam urdhëruar të gjithë administratën për të punuar me ekipin e tij për të siguruar një tranzicion paqësor dhe të rregullt. Kjo është ajo që meriton populli amerikan.”
Takimi i tyre është caktuar për në orën 11:00.