Biden flet për rreziqet ndaj demokracisë amerikane në fjalimin lamtumirës

Biden flet për rreziqet ndaj demokracisë amerikane në fjalimin lamtumirës

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, iu drejtua kombit me një fjalim lamtumire mbrëmjen e së mërkurës, duke paralajmëruar se një “oligarki e rrezikshme” e njerëzve jashtëzakonisht të pasur po formësohet në Amerikë, e cila zotëron pushtet dhe ndikim që kërcënojnë demokracinë.

“Jam i shqetësuar për rënien e rrezikshme të pushtetit në duart e ca njerëzve të pasur”, tha Biden, duke folur nga Shtëpia e Bardhë.

Ai tha se rënia e pasurisë në duart e pak vetave nuk e kërcënon vetëm demokracinë, por edhe të drejtat dhe liritë themelore, si dhe pritjet se çdo njeri meriton një “mundësi të barabartë” për të arritur sukses.

Pasi ta përfundojë mandatin e tij, Biden do të largohet nga Shtëpia e Bardhë më 20 janar, dhe do të pasohet nga presidenti i zgjedhur, Donald Trump, i cili është miliarder dhe ka mbështetjen e shefit të Teslas dhe SpaceX, Elon Musk, njeriut më të pasur në botë, si dhe të njerëzve të tjerë jashtëzakonisht të pasur.

Musk, i cili ndjek të njëjtën vijë të politikës së djathtë si Trumpi, i shpenzoi dhjetëra miliona dollarë për ta ndihmuar fushatën presidenciale të Trumpit vitin e kaluar dhe do të marrë pjesë në inaugurimin e tij.

Dy miliarderë të tjerë të njohur amerikanë – themeluesi i Amazonit, Jeff Bezos, dhe bashkëthemeluesi i Facebookut dhe shefi i Metas, Mark Zuckerberg – gjithashtu pritet të marrin pjesë në inaugurimin e Trumpit.

Biden përmendi disa nga arritjet e tij, përfshirë drejtimin e vendit për të dalë nga pandemia e koronavirusit gjatë dy vjetëve të tij të para si president, mbështetjen për prodhimin vendas dhe kufizimin e çmimit të barnave të përshkruara.

Por, Biden tha se vlerat amerikane janë duke u “sprovuar vazhdimisht”, duke paralajmëruar për ngritjen e mundshme të asaj që ai e quajti “kompleksi industrial i teknologjisë” dhe të ardhmen e inteligjencës artificiale.

“Amerikanët po varrosen nën një ortek dezinformimesh dhe keqinformimesh, që mundësojnë abuzimin me pushtetin”, tha ai.

“Shtypi i lirë po shembet. Redaktorët po zhduken. Mediat sociale po heqin dorë nga verifikimi i fakteve. E vërteta po mbytet nga gënjeshtrat për pushtet dhe për përfitime”, theksoi ai.

Ai nënvizoi se, për t’i luftuar këto prirje, platformat e mediave sociale duhet të mbajnë përgjegjësi për t’i mbrojtur fëmijët, familjet dhe demokracinë amerikane nga abuzimi me pushtetin.

Inteligjenca Artificiale (IA), sipas tij, është një zhvillim që ka potencialin për të ndihmuar në zgjidhjen e problemeve, madje edhe për të gjetur një shërim për kancerin, por në të njëjtën kohë mund edhe të “shkaktojë kërcënime të reja për të drejtat tona, mënyrën tonë të jetesës, privatësinë tonë, mënyrën se si punojmë dhe si e mbrojmë kombin tonë”.

“Inteligjenca Artificiale është teknologjia më domethënëse e kohës sonë, ndoshta e të gjitha kohërave. Asgjë nuk ofron më shumë mundësi dhe rreziqe të mëdha për ekonominë, sigurinë, shoqërinë tonë dhe për njerëzimin”, tha ai.

Megjithatë, ajo duhet të jetë “e sigurt, e besueshme dhe e dobishme për mbarë njerëzimin”, shtoi ai, duke theksuar se është më e rëndësishme se kurrë që “si tokë e lirisë, Amerika, dhe jo Kina, ta udhëheqë botën në zhvillimin e IA-së”.

Biden, i cili e mundi Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020, do të largohet nga detyra javën e ardhshme, pasi u tërhoq për shkak të shqetësimeve në lidhje me aftësinë e tij mendore, duke i hapur rrugën nënpresidentes Kamala Harris që të garonte kundër Trumpit si kandidatja e Partisë Demokrate në zgjedhjet e vitit 2024.

Harris humbi përballë Trumpit në zgjedhjet e 5 nëntorit.

Related Articles