Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, i tha homologut të tij kinez, Xi Jinping, se vendi i tij i kundërshton fuqimisht “përpjekjet e njëanshme” për të ndryshuar status quo-në ose për të minuar paqen në Tajvan.
Komentet u bënë gjatë samitit të parë virtual të dy liderëve, të mbajtur në orët e para të së martës, sipas kohës në Kosovë.
“Bideni shprehu shqetësim për veprimet e Kinës në Xinjiang, Tibet dhe Hong Kong, si dhe për të drejtat e njeriut në kuptimin gjithëpërfshirës”, njoftoi Shtëpia e Bardhë, përcjell Reuters.
Të dy udhëheqësit u zotuan të punojnë së bashku për çështjet e energjisë dhe klimës.
Presidenti Xi i tha Bidenit se vendi i tij do të detyrohet të marrë “masa vendimtare” nëse forcat pro-pavarësisë së Tajvanit kalojnë “vijën e kuqe”, njoftuan mediat shtetërore kineze.
Kina pretendon se Tajvani është territor i saj. Pekini ka premtuar se do ta vendosë ishullin nën kontroll, edhe me forcë nëse është e nevojshme.
Të dy udhëheqësit theksuan përgjegjësinë e tyre ndaj botës për të shmangur konfliktin.
“Më duket se është përgjegjësi e jona si liderë të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të sigurojmë që konkurrenca jonë si vende të mos kthehet në konflikt, qoftë me dashje apo pa dashje”, tha Biden në fillim të takimit.
Duke folur përmes një përkthyesi, Xi tha se si dy ekonomitë më të mëdha në botë dhe anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duhet të rrisin komunikimin dhe bashkëpunimin.
Agjencia zyrtare e lajmeve Xinhua e përshkroi takimin si “të ndershëm, konstruktiv, kuptimplotë dhe të frytshëm”. /Gazeta “Enigma”/