Bie në prangat e policisë i dyshuari për grabitjen te Stacioni i Autobusëve, zbulohet emri i tij

Pas disa muajsh që nga rasti i grabitjes te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë, Policia ka arritur ta arrestojë të dyshuarin që bashkë me një person tjetër dyshohen se ia vodhën një telefon, nën kërcënimin e armëve. I dyshuari është arrestuar dhe tashmë ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se i dyshuari që ra në prangat e Policisë është Ardian Ramadani, 24-vjeçar – që sipas informacioneve të para dyshohet edhe për vepra tjera të kësaj natyre.

I njëjti është shoqëruar në Polici, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me rastin dhe pas përfundimit të procedurave policore, i njëjti është dërguar në mbajtje.

Ai dyshohet se bashkë me një person tjetër, më 14 maj ia kanë zënë rrugën viktimës dhe nën kërcënimin e thikës dhe armës së zjarrit ia kanë marrë telefonin e qindra eurove.

Të dyshuarit atë ditë kanë arritur të ikin pa lënë ndonjë gjurmë, kurse viktima e kishte denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer në detaje se si ndodhi ngjarja, njofton Sinjali.

I dyshuari që është kapur nga Policia do të hetohet për veprën penale “Grabitja”.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Related Articles