Bie numri i nxënësve në shkollat e Kosovës

Bie numri i nxënësve në shkollat e Kosovës

Instituti GAP ka organizuar tryezën e diskutimit me temën ‘A kemi shkolla të tepërta’, nevoja për ristrukturimin e institucioneve edukativo-arsimore parauniversitare, raporton Gazeta Enigma.

Hulumtuesi i lartë nga GAP, Bekim Salihu tha se në raport përfshihet vendimi i komunës së Kamenicës për ristrukturimin e shkollave, e që sipas tij.

“Komuna e Kamenicës për vendimin e mbylljes së disa shkollave ka ngritur shqetësim të madh duke krijuar kështu debat, efekti se a do duhet të ketë ristrukturim të shkollave dhe se kush duhet ta bëjë këtë ristrukturim të shkollave”.

Tutje ai tha se krahasuar me vitin shkollor 2008-2009 në vitin shkollor 2019-2020 ka ulje të numrit të nxënësve për 26%.

“Nga 444 mijë nxënës sa kanë qenë në vitin 2009-2010 në vitin 2020 numri ka shkuar në 330 mijë apo 26%, çka do thotë se ka rënie të numrit të nxënësve, ndërsa personeli arsimor është rritur për 2%”.

Përderisa, Shqipe Bruçi nga ministria e Arsimit tha se komuna e Kamenicës nuk është e vetmja që ka bërë mbylljen e shkollave.

“Të dhënat që u paraqitën janë reale dhe nuk janë të dhëna që ne nuk i kemi pasur, pra i disponojmë të dhënat për secilën shkollë. Në komuna të caktuara kemi rënie”.

“Nuk është hera e parë dhe komuna e vetme që ka bërë mbylljen e shkollave, 332 paralelet e ndara ndërsa tash kemi 309. Sa i përket stafit është problem që me bë zvogëlimin e stafit”, tha ajo.

Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka uruar që shumë shpejt të përfundojë dialogu me Serbinë, duke shtuar se po humb fokusi për temat e tjera.

“Uroj ta kryejmë dialogun me Serbinë dhe të fokusohemi pak më shumë tek çështja e arsimit që nuk po i kushtohet rëndësi sa duhet. Sa i përket kësaj fushe ka problematika të shumta, sidomos me vendimin e kësaj komune që të mbyllen disa shkolla si pasojë e numrit të vogël të nxënësve”.

Related Articles