Gjendja në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Deçan është më e mirë sesa ditët e kaluara sipas doktorit Xhavit Ragushaj.
”Fluksi prej mesditës deri në këtë moment ka ra. Prej orës 15 diku 15 pacientë na kanë qenë me të njëjtat simptoma”, ka thënë ai.
Ragushaj ka theksuar se ka pasur edhe pacientë që kanë kërkuar trajtim mjekësor edhe prej fshatrave të tjera të Deçanit, fshatra këto që nuk kanë pasur problemin e ujit të pijes, por që sipas tij ata kanë qenë të paktë.
“Jemi të furnizuar mirë me terapinë sa i përket listës esenciale këto çka janë emergjente. Kapacitetet i kemi të mira këtu, e kemi hapësirën e kemi stafin, jemi mobilizuar me staf shtesë”, ka thënë Xhavit Ragushaj.
I pyetur nëse ka ndonjë dyshim se për çfarë infeksioni bëhet fjalë, ai u shpreh se është kompetencë e IKSHP pasi ata i kanë marrë mostrat.
“Nuk është në pyetje që u gjet vetëm nji bakter, bakteri e ka emrin, e ka llojin nuk kemi specifikim, ne mund të dyshojmë po s’kemi specifikim”, ka shtuar doktori.Ai tha se është mirë të bëhet një specifikim pasi kur gjendet burimi i infeksionit ndalet zinxhiri i infektimit dhe është proces më i lehtë pastaj.
Rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik janë që të mos konsumohet uji i ujësjellësit në këtë komunë.
Qytetarë e organizata të ndryshme janë mobilizuar për t’u dalë në ndihmë me ujë qytetarëve deçanas./Gazeta Enigma/