Ish-ministri i Jashtëm i Suedisë, Carl Bildt, ka thënë se nuk pret që tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë të çojnë në përshkallëzim të situatës, por as të zgjidhen shpejt.
Në një bisedë të shkurtër për mediumin njujorkez GZERO, i pyetur nëse zhvillimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë janë fillimi i diçkaje më shumë, ish-ministri suedez thotë se “jo domosdoshmërisht”.
“Është një vazhdimësi e vështirësive që kanë qenë aty, që kanë të bëjnë me zbatimin e një marrëveshjeje të para disa viteve mbi targat dhe për Asociacionin e komunave (me shumicë / shën.red.) serbe në Kosovë. Dhe kjo përkon me përpjekjet e BE-së dhe SHBA-së për të gjetur një zgjidhje më afatgjate ndaj problemit”.
“Nuk pres përparim të shpejtë. Nuk pres ndonjë përshkallëzim të shpejtë. Kështu është zakonisht Ballkani”, potencoi ish-ministri i Jashtëm i Suedisë në këtë intervistë të shkurtër.