Dita e dytë e bisedimeve trepalëshe midis Kievit, Moskës dhe Uashingtonit, për t’i dhënë fund luftës ruse në Ukrainë ka përfunduar.
Pas negociatave trepalëshe midis Ukrainës, Rusisë dhe SHBA-së në Abu Dhabi, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e konsideron të mundur një takim pasues javën e ardhshme. Bisedimet ishin konstruktive dhe Ukraina është gati për diskutime të mëtejshme, tha Zelensky.
Përfaqësuesit ushtarakë kanë identifikuar një listë temash për një takim të mundshëm të ardhshëm. Për më tepër, pala amerikane ka paraqitur formate për të formalizuar parametrat për përfundimin e luftës. Edhe sipas Emirateve të Bashkuara Arabe (EBA) bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës në Abu Dhabi u zhvilluan në një “atmosferë konstruktive dhe pozitive”.
Një zëdhënës i qeverisë deklaroi se shkëmbimi i drejtpërdrejtë u përqendrua në çështjet e pazgjidhura të planit të paqes të propozuar nga SHBA-të.
Sipas informacioneve nga qarqet negociuese, të dyja palët në konflikt janë deri tani përgjithësisht të kënaqura me progresin e bisedimeve. Ka rezultate, por këto shpallen nga ata që janë përgjegjës në vend, citoi TASS një anëtar të delegacionit negociues rus. Ukraina gjithashtu i vlerësoi negociatat si “pozitive” dhe “konstruktive”, shkroi analisti politik i Axios, Barak Ravid, në X. Bisedimet thuhet se janë planifikuar të rifillojnë javën e ardhshme, shkruan DW.
Për herë të parë nga viti i kaluar, Kievi dhe Moska kanë zhvilluar negociata të drejtpërdrejtanga e premtja. Me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara, palët u takuan në Abu Dhabi, në Emiratet e Bashkuara Arabe, për të diskutuar planin e SHBA-së për t’i dhënë fund luftës kundër Ukrainës.
Raundi i parë i takimit tre palësh të premten u përqendrua në kushtet për përfundimin e luftës, u shpreh negociatori ukrainas Rustem Umerov, por nuk dha detaje.
Kurse presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky në mesazhin e tij me video në mbrëmja, tha se është shumë herët për të nxjerrë përfundime nga takimi në Abu Dhabi.
