Bislimi dhe Gërvalla takohen me zyrtarin e lartë britanik

Bislimi dhe Gërvalla takohen me zyrtarin e lartë britanik

Gjatë ditës së sotme, zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Kosovës, Besnik Bislimi takoi Drejtorin e Përgjithshëm për Evropë në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar, Peter Wilson.

Bislimi i uroi mirëseardhjen në Kosovë Wilson, duke i uruar dhe qëndrim produktiv në vend gjatë vizitës së tij.

“Ne vlerësojmë lartësisht rolin e Mbretërisë së Bashkuar, partneritetin dhe miqësinë tonë”, u shpreh Bislimi, njoftoi Zyra e Kryeministrit.

Ai foli mbi zhvillimin ekonomik të vendit përgjatë dy viteve të fundit si dhe veçoi vlerësimin e FMN-së mbi disiplinën dhe konsolidimin fiskal të Kosovës, nga e cila FMN-ja miratoi programin e ri SBA dhe RSF.

“Nga ana tjetër, z. Wilson vlerësoi angazhimin dhe punën e zhvilluar nga Republika e Kosovës në sektorin e energjisë. Sa i përket agresionit rus në Ukrainë, zëvendëskryeministri Bislimi tha se Kosova është në anën e demokracisë, duke renduar politikën e saj të jashtme me atë të Bashkimit Evropian, vendosur sanksione ndaj Rusisë, hequr vizat për shtetasit ukrainas dhe strehojë refugjatë ukrainas”, thuhet në kumtesë.

“Palët diskutuan dhe mbi situatën në veri dhe procesin e dialogut. Drejtori i Përgjithshëm Wilson shoqërohej në këtë takim nga ambasadori i Britanisë në Kosovë, Nicholas Abbott dhe stafi i tij”.

Edhe ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Prishtinë ka njoftuar për vizitën e Wilsonit në Kosovë.

Sipas ambasadës, Wilson në takimet me Bislimi dhe ministren e Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla, kanë folur për çështjet e brendshme dhe për ato rajonale.

Wilson ka deklaruar se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar ndaj raporteve dypalëshe dhe ka thënë se mbështesin stabilitetin dhe prosperitetin afatgjatë të Kosovës.

Related Articles