Zëvendëskryeministri i parë Besnik Bislimi bashkë me ministren e Arsimit Arbërie Nagavci ishin nikoqir të takimit të pestë me organizata të shoqërisë civile.
Numri dy i qeverisë në këtë takim ka thënë se akterët e shoqërisë civile i shohin si partnerë në procesin e Integrimit Evropian.
Sipas tij secila palë e ka rolin e vet dhe mund të japë kontribut si në hartim, monitorim, zbatim apo komunikim të reformave.
“Sidomos këtë vit është shumë e rëndësishme përfshirja dhe kontributi i të gjitha palëve”, ka thënë në këtë tryezë Bislimi.
Ky takim ishte i pesti me radhë sektorial, këtë here në fushën e arsimit.
“Përmes këtij takimi synojmë përfshirjen e shoqërisë civile në konsultime drejtpërdrejt me institucionet zbatuese në kuadër të reformave legjislative dhe të politikave, përpara se ato të vendosen në platformën për konsultime publike”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
Aty, siç bëhet e ditur u diskutua edhe mbi prioritetet që rrjedhin nga Agjenda Evropiane e Reformave si përmirësimi i cilësisë së përgjithshme në sektorin e arsimit, sigurimi i qeverisjes transparente të institucioneve arsimore e rritja e qasjes në arsim.
“Procesi i Integrimit Evropian është aq kompleks dhe kërkues saqë kërkon mobilizim e gjithë potencialit vendor, prandaj çdo ndihmë dhe kontribut është i mirëseardhur”, u është thënë përfaqësuesve të shoqërisë civile në këtë takim që u pritën nga dyshja qeveritare, Bislimi e Nagavci.
“Si Qeveri, bazuar në arritjet tona, llogarisim në përkrahjen e shoqërisë civile në arritjet sektoriale duke qenë se këtë vit do të aplikojmë dhe për anëtarësim në BE, me synim marrjen e statusit kandidat. Prandaj u ftuan akterët pjesëmarrës për bashkëpunim si në monitorim dhe zbatim të reformave po ashtu edhe në aktivitete të diplomacisë publike që do të kemi mundësi t’i organizojmë së bashku”, thotë njoftimi qeveritar.
Në nëntor e dhjetor qeveria planifikon që takimet të mbahen në fushën e punësimit, çështjet sociale dhe energji.