Shefi i ekipit negociator të Kosovës në dialogun në Bruksel, Besnik Bislimi, ka pohuar se marrëveshja për energjinë pothuajse është arritur.
Mirëpo, jo edhe ajo për targa, për të cilën fajin sipas tij e ka pala serbe.
Në një intervistë për televizionin N1, ai tha se dialogu “nuk po e ndjek ritmin që pala kosovare po synon”.
“Ky ngadalësim është kryesisht pasojë e strategjisë që padyshim është zgjedhur nga pala negociatore nga Beogradi, e cila krijon pengesa të panevojshme në proceset që po kalojmë. Kjo vlen edhe për marrëveshjen energjetike dhe targat”, thotë Bislimi.
Sa i përket energjisë, ai thotë se nga nëntë pika kanë mbetur vetëm një hap që duhet ta bëjë pala serbe dhe se pret që ai të bëhet gjatë javës së ardhshme.
“Mendoj se nuk ka asnjë arsye që asnjëra palë të thotë se nuk mund të fillojë menjëherë zbatimin e marrëveshjes”, tha ai.
Bislimi ka shtuar se rregullatori i energjisë në Kosovë ka 100 ditë kohë për të zbatuar marrëveshjen.
Duke iu përgjigjur pyetjes se pse nuk ka marrëveshje për çështjen e targave, Bislimi thekson se pala serbe “refuzoi të zgjidhte një nga opsionet që ishin në tavolinë”.
“Ne kishim tre opsione dhe secila palë duhet të kishte zgjedhur njërën prej tyre. Në rast se nuk zgjedhim të njëjtat opsione, atëherë negociatorët ose krerët e shteteve duhet t’i bashkojnë këto dy opsione në një, por pala serbe refuzoi të pozicionohej dhe e zgjodhi pengimin si zgjidhje”, ka thënë Bislimi.
Ai ka shtuar se drejtori i zyrës për Kosovë, Petar Petkoviq, ka premtuar se do të vijë në Bruksel me një propozim që do të përfaqësojë një zgjidhje të përhershme dhe që është në përputhje me standardet më të mira të Bashkimit Evropian.
“Por, ai nuk paraqiti asnjë zgjidhje. Kishte një mashtrim të paskrupullt që ia bëri Miroslav Lajçakut, sepse ishte garantuesi i suksesit të këtij takimi,” pohon Bislimi.
Ai tutje tha se Kosova është në proces të hartimit të një plani alternativ që do t’i ketë të gjitha elementet e reciprocitetit.
Një nga pikat kontestuese është Asociacioni i Komunave Serbe, dhe në lidhje me këtë Bislimi thekson se ndarja dhe paraqitja e atij problemi është artificiale.
Ai shton që janë të interesuar që të shqyrtojnë modalitete shtesë për mbrojtjen e pakicave në tërësi.
“Nëse Serbia kërkon të drejta shtesë për pakicën serbe në Kosovë, ato duhet të dëshmojnë se janë model i mirë për përmirësimin e të drejtave të pakicave dhe të na tregojnë se çfarë hapësire u ofrojnë minoriteteve në Serbi dhe ne mund t’i adoptojmë ato edhe në Kosovë”, tha Bislimi, përcjell Klankosova.tv.
I pyetur nëse Kosova është e obliguar ta zbatojë marrëveshjen aktuale, Bislimi tha se disa nga marrëveshjet e nënshkruara ishin të përkohshme.
Gjithashtu në pyetjen nëse pala kosovare do të bëjë një propozim alternativ, Bislimi tha se ata janë të interesuar të diskutojnë mekanizmat më të mirë për të siguruar avancimin dhe mbrojtjen e interesave të pakicave, por “vetëm pasi të jemi të bindur se askush në rajon nuk po e sfidon integritetin territorial dhe sovranitetin”.
Bislimi po ashtu pohon se para komunitetit ndërkombëtar dhe serbëve vendorë kanë prezantuar mekanizmat dhe fondet që mundësojnë integrimin e komunave.