Zëvëndëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka reaguar pas arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi lidhur me çështjen e targave.
Përmes një postimi në Twitter, Bislimi ka thënë se pas së mërkurës, duhet të vazhdohen bisedime intensive për propozimin e BE-së, të mbështetur nga Gjermania dhe Franca.
“Pas marrëveshjes së sotme, ne duhet të vazhdojmë bisedimet tona intensive për propozimin e BE-së, të mbështetur nga Gjermania dhe Franca, për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, ka deklaruar Bislimi.
Kryediplomati evropian, Josep Borell ka bërë të ditur se është arritur një marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë lidhur me çështjen e targave.
Më herët të mërkurën filloi takimi trepalësh në mes Përfaqësuesit të Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, takim ky nga i cili u arrit marrëveshje.
Borrell ka bërë të ditur se Serbia do të ndalojë lëshimin e targave me emërtimet e qyteteve të Kosovës dhe Kosova do të ndërpresë veprimet e mëtejshme në lidhje me riregjistrimin e automjeteve.