Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, është takuar me Sekretarin e Shtetit të Departamentit Federal për Punë të Jashtme të Zvicrës, Alexandre Fasel.
Në takim, bëhet e ditur se Bislimi theksoi perspektivën evropiane të Kosovës, objektivat, rrugëtimin në proceset e integrimit evropian dhe zhvillimin e vendit.
“U nënvizua se përmes programit tonë qeveritar dhe politikave të ndërmarra, kemi dëshmuar përkushtimin e fuqishëm për qeverisje demokratike dhe bërë hapa të rëndësishëm në zhvillimin ekonomik, për rritje ekonomike të qëndrueshme, me shpërndarje të drejtë e të barabartë tek të gjithë qytetarët”.
“Më tej, u diskutua dhe rreth anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Zëvendëskryeministri Bislimi theksoi vlerat demokratike të shtetit tonë dhe synimin e përafrimit me bashkësinë evropiane, ku një hap i rëndësishëm është dhe anëtarësimi në këtë organizatë”, thuhet në njoftim.
Tutje, bëhet e ditur se në takim u fol edhe për situatën në vend dhe procesin e dialogut me Serbinë.
“Zëvendëskryeministri Bislimi e falënderoi z. Fasel për mikpritjen, bisedën e çmuar dhe pikëpamjet e shkëmbyera, duke theksuar dhe rëndësinë e vazhdimit të fuqizimit të marrëdhënieve mes dy shteteve tona”, thuhet tutje në njoftim.