Zëvendëskryeministri i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, priti në takim ambasadorin e ri të Zvicrës në Kosovë, Jürg Sprecher, të cilit i shprehu mirëseardhje në Kosovë dhe urimet për pozitën e tij të re.
Ata biseduan mbi marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve dhe gatishmërinë e ndërsjellët për forcimin e tyre. U përmend roli i rëndësishëm i mërgatës sonë në Zvicër si urë lidhëse mes dy vendeve.
Ambasadori Sprecher theksoi se ndihet i lumtur që ndodhet në Kosovë e që do kontribuojë në thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Zvicrës. Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Bislimi shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Zvicrës, përmes projekteve e iniciativave të ndryshme.
Pjesë e diskutimit ishin dhe temat mbi procesin e dialogut e zhvillimi ekonomik i vendit. Në lidhje me këtë të fundit, zëvendëskryeministri foli mbi indikatorët pozitivë ekonomikë të Kosovës dhe potencialin për rritje.
Ambasadori Sprecher në takim u shoqërua nga zëvendës ambasadori i Zvicrës në Kosovë, Christoph Fuchs.