Besnik Bislimi, zëvendëskryeministri i Kosovës, deklaroi sot se shtyrja e zgjedhjeve në veri të vendit nuk është opsion i mirë.
Bislimi tha se shtyrja e zgjedhjeve është opsion i atyre që mendojnë që tani më mirë është që veriu të shndërrohet në zonë të menaxhimit të krizave e jo të hyjë në një proces të normalizmimit të raporteve.
Bislimi potencoi se protagonisti kryesor që kërkon që të shtyhen zgjedhjet është Aleksandar Vuçiq.
“Zgjedhjet janë themel i demokracisë dhe në një demokraci të mirëfilltë janë institucionet shtetërore që e vendosin afatet për mbajtjen e tyre. Në këtë rast, zgjedhjet në veri të Kosovës, ka vullnet nga partitë politike që të jenë pjesëmarrës në zgjedhje, ky vullnet mungon vetëm nga një subjekt politik. Shtyrja nuk është opsion i mirë, është opsion i atyre që mendojnë që në këtë moment më mirë është që veriu të shndërrohet në një zonë të menaxhimit të krizave e jo të hyjë në një proces të normalizmimit të raporteve. Për momentin protagonist kryesor që kërkon shtyrjen e zgjedhjeve është z.Vuçiq, i cili edhe kërkon koncesione për pjesëmarrje në zgjedhje”, tha ndër të tjera Bislimi gjatë një interviste për Zërin e Amerikës.