Kreu i Komisionit Rregullator për Energjetikë në Maqedoni, Marko Bislimovski, tha se kriza energjetike e ka vendosur komisionin në një pozitë ku shtrenjtimi i rrymës elektrike ishte i pashmagshëm.
“Kemi ardhur në një situatë ku 17 konsumatorë, konsumojnë 10 për qind të energjisë elektrike të prodhuar”, u shpreh Bislimovski.
Në paraqitjen e tij në emisionin “Vetëm intervistë”, Bislimovski edhe një herë përsëriti se për mbi 98 për qind të amvisërive do të ketë rritje prej vetëm 7,4 për qind.
“Futja e blloqeve vlen vetëm për tarifën e shtrenjtë. Së pari, kishim një grup propozimesh për tarifat e bllokut, por pas debatit i zgjeruam kufijtë. Nga analizat rezulton se banesat që ngrohen me inverter do të hyjnë në bllokun e dytë, pak në bllokun e tretë. Jemi të vetëdijshëm se jashtë Shkupit ka qytetarë që ngrohen me rrymë. Për këtë kemi rritur bllokun e dytë dhe të tretë”, ka theksuar Bislimovski.
Sipas Bislimoskit, duhet të përmirësohet gjendja në sektorin energjetik dhe të mendohet për ngritjen e kapaciteteve që do të sigurojnë energji bazë.
“Problemi i prodhimit doli në sipërfaqe gjatë viteve të krizës. Nëse do të prodhonim deri në pesë mijë gigavat orë në vit, do ta kishim kaluar më lehtë krizën energjetike. Tani duhet të mendojmë për të ardhmen, të ndërtojmë kapacitete dhe të sigurojmë energji bazë”, tha Bislimoski.
Sipas tij, për të rritur pavarësinë energjetike të vendit nevojiten investime në të gjitha burimet e rinovueshme – fotovoltaikë, termocentrale me erë dhe termocentrale me gaz.
“Kur të mbarojë qymyri, do të humbasim pavarësinë. Për ne, Dielli do të sigurojë pavarësinë tonë në të ardhmen dhe impiantet e gazit duhet të ndërtohen. Që nga viti 2006, TC Negotinë mbahet si monument, vetëm tani është vënë në funksion. Nëse TEC-i i Negotinës do të ishte ndërtuar me gaz në atë kohë, do të kishim një kapacitet të shkëlqyer për energji bazë. Këto janë shanset e humbura të politikanëve që duhet të kompensohen”, tha kreu i Komisionit Rregullator për Energji.
Sa i përket ngrohjes, Bislimoski mendon se operimin e ngrohjes duhet ta marrë shteti.
“Qeveria, me sa di unë, është në negociata për sigurimin e gazit me “Makpetrol”. Gazi natyror është i mundshëm edhe nga vende të tjera”, përfundoi Bislimovski.