Kuvendi i Kosovës në muajin prill kishte miratuar me 69 vota për, dy kundër dhe asnjë abstenim në lexim të dytë Projekligjin nr.10/L-023 për Shtetësinë e Kosovës. Kundërshtime pati nga partitë opozitare.
Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Blerim Kuçi, ka thënë Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe miratuan Ligjin e Shtetësisë, Ligjin Nr. 10/L-023.
“VV ishte në koalicion me minoritete të tjera, Ligji mund të kalonte me shumicë të thjeshtë. Nëse qëllimi ishte ligji për mërgatën, Neni 31 mund të hiqej.Pse problemi është Neni 31. Republika e Kosovës ua njeh të drejtën e shtetësisë së Republikës së Kosovës, pavarësisht nga vendbanimi i tyre i tanishëm dhe shtetësia që ata kanë, të gjithë qytetarëve të ish Republikës Federative të jugosllavisë, të cilët kanë qenë banorë të përhershëm të Kosovës me datën 1 janar 1998 dhe pasardhësve të tyre të drejtpërdrejtë”, ka shkruar ai.
Kuçi përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka ngritur shqetësime “me këtë nen, çdo kriminel, paramilitar që ka qenë banor në Kosovë më 1 janar 1998 dhe të gjithë pasardhësit e tij kudo në botë, fitojnë shtetësi Kosovare me procedurë të lehtësuar”.
“Ky vendim mund te sjell inflacion demografik të kontrolluar direkt nga serbia, potencial për manipulim të zgjedhjeve nga serbia, hapje të rrugës për pretendime pronësore masive, rrezik afatgjatë për rendin kushtetues dhe demografik të vendit. I PAJUSTIFIKUSHËM. I DËMSHËM.”, ka shkruar ai.
Tutje, Kuçi ka bërë të ditur se, nëse merr besimin e qytetarëve si deputet, një nga veprimet e para të tij do të jetë inicimi i një interpelance parlamentare.
“Nëse marr besimin tuaj si deputet, veprimi i parë do të jetë hapja e debatit për interpelancë me qëllim diskutimin per ndryshim te ligjit”, ka shkruar ai.
