Ish-drejtori i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës, Eset Berisha ka thënë se Kosova nuk ka hapësirë ajrore që e “rregullon dhe që e menaxhon për momentin”, teksa ka theksuar se “asnjë fluturake në Republikën e Kosovës nuk mund të fluturojë pa lejen e KFOR-it”.
“Asnjë fluturake në Republikën e Kosovës nuk mund të fluturojë pa lejen e KFOR-it. 72 orë para duhet të lajmërohet ndonjë fluturim civil, ndërsa ushtarake nuk ka pasur fare”, tha Berisha, në lidhje me diskutimet e fundit se a ka hapësirë ajrore për dronët “Bayraktar”.
Berisha ka thënë se hapësira ajrore është menaxhuar nga KFOR-i sipas marrëveshjes tekniko-ushtarake të 9 qershorit 1999, e cila ka rrjedhur dy ditë para rezolutës 1244, dhe se me atë marrëveshje, forcat ndërkombëtare të sigurisë, KFOR-i, kanë marrë përgjegjësinë e sigurisë edhe në hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës që në atë kohë njihej si “hapësira ajrore mbi Kosovë”.
“Hapësira ajrore është menaxhuar nga KFOR-i sipas marrëveshjes tekniko-ushtarake të 9 qershorit 1999, ka rrjedhur dy ditë para rezolutës 1244, është fakt që nuk mund të mohohet. Me atë marrëveshje, forcat ndërkombëtare të sigurisë, KFOR-i, kanë marrë përgjegjësinë e sigurisë edhe në hapësirën ajrore të Republikës së Kosovës që në atë kohë njihej si hapësira ajrore mbi Kosovë”, ka thënë Berisha në RTV “Dukagjini”.
Ai ka thënë se KFOR-i gjithmonë i referohet hapësirës ajrore mbi Kosovën jo hapësira ajrore e Kosovës, sepse sipas tij, me marrëveshjen e Kumanovës janë marrë obligimet nga ish-Republika federale e Jugosllavisë dhe Republika e Serbisë.
“KFOR-i gjithmonë i referohet hapësirës ajrore mbi Kosovën jo të Kosovës, janë fakte që nuk mund të mohohen, sepse me marrëveshjen e Kumanovës janë marrë obligimet nga ish-Republika federale e Jugosllavisë dhe Republika e Serbisë”, ka vijuar ai.
Ai ka thënë ndër të tjera se terminologjia nuk ka ndërruar as pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës sepse mbi ligjin e Aviacionit Civil, sipas tij, Kosova obligohet të zbatojë lejet të cilat lëshohen nga marrëveshjet ndërkombëtare, në këtë rast Marrëveshja e Kumanovës.
“Kur jemi te regjimi tjetër që kemi të bëjmë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kjo terminologji nuk ka ndërruar, sepse mbi ligjin e Aviacionit civil, nënkupton se Kosova obligohet t’i zbatojë lejet të cilat lëshohen nga marrëveshjet ndërkombëtare, në këtë rast Marrëveshja e Kumanovës. Hapësira ajrore e Kosovës është e ndarë në dy pjesë, hapësira e lartë dhe hapësira e ulët. Ligji për Aviacionin Civil i rregullon fluturimet civile apo komerciale jo ato ushtarake”.
Ai ka theksuar se sado e dhimbshme të jetë, “Kosova nuk ka hapësirë ajrore që e rregullon dhe që e menaxhon për momentin”.
Ndryshe, më 16 korrik, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar për blerjen e dronëve Bayraktar TB-2 nga Turqia, por nuk ka treguar për numrin e tyre.
Në prezantimin e dronëve të dielën, Kurti u shoqërua nga ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj dhe komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Bashkim Jashari.
Me blerjen e dronëve, Kurti ka vlerësuar se Kosova tash është edhe më e sigurt.
Ai ka përgëzuar oficerët të cilët kanë kryer trajnimin për përdorimin e dronëve.