Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, i tha të hënën një zyrtari të lartë izraelit se hapat që Izraeli ka ndërmarrë për të përmirësuar situatën e rëndë humanitare në Gazë, duhet të çojnë në përmirësime aktuale në terren, tha të martën Departamenti i Shtetit.
Kryediplomati Blinken dhe Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin, u dërguan një letër homologëve të tyre izraelitë më 13 tetor me një listë të hapave specifikë që duhen ndjekur për të trajtuar situatën e përkeqësuar në enklavën palestineze në mes të një ofensive të ripërtërirë izraelite.
Uashingtoni i dha Izraelit një afat prej 30 ditësh për t’u pajtuar me kërkesën dhe tha se rezultatet në terren do të përcaktonin nëse ishte bërë apo jo mjaftueshëm në atë drejtim. Uashingtoni nuk ka thënë ende nëse mendon se Izraeli i ka përmbushur kërkesat.
Në një takim të hënën, Ministri i Çështjeve Strategjike Ron Dermer e njoftoi Sekretarin Blinken mbi vendimet politike që ka ndërmarrë qeveria izraelite për të trajtuar kërkesat, si dhe ndryshimet operacionale të ushtrisë izraelite.
“Sekretari theksoi rëndësinë që këto ndryshime të çojnë në përmirësime aktuale të situatës së tmerrshme humanitare në Gazë, përfshirë dërgimin e ndihmave shtesë për civilët në të gjithë Gazën”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.
COGAT, agjencia ushtarake izraelite që merret me çështjet civile palestineze, publikoi të dielën një listë të përpjekjeve humanitare të Izraelit gjatë gjashtë muajve të fundit, “duke theksuar nismat e fundit dhe detajuar planet për të vazhduar mbështetjen për Gazën me afrimin e dimrit”.
Grupet ndërkombëtare të ndihmave thanë të martën se Izraeli jo vetëm që kishte dështuar në përmbushjen e kërkesave amerikane, por madje kishte ndërmarrë hapa që “përkeqësuan në mënyrë dramatike” situatën në terren.
Për më shumë se një muaj, forcat izraelite kanë depërtuar më thellë në veri të Gazës, duke rrethuar spitalet dhe strehimoret dhe zhvendosur valë të reja njerëzish në një operacion për të cilin thonë se synon parandalimin e rigrupimit të luftëtarëve të Hamasit.