Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken ka mbërritur në Lindjen e Mesme. Ai do të vizitojë të premten Izraelin, si pjesë e një misioni në Lindjen e Mesme, konfirmoi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetin Matthew Miller.
Njoftimi fillestar për misionin nuk e përfshinte ndalesën në Izrael, diçka e pazakontë. Sekretari i Shtetit Blinken e ka vizituar Izraelin në secilën nga pesë vizitat e tij në rajon që nga fillimi i luftës.
Vizita vjen mes tensioneve mbi planet izraelite për një sulm ushtarak në qytetin jugor të Gazës, Rafah.
Blinken arriti në Arabinë Saudite të mërkurën dhe shkon në Kairo të enjten për të biseduar me udhëheqësit rajonalë mbi përpjekjet për të siguruar një armëpushim.
Në Arabinë Saudite, ai pritet të takohet me princin e kurorës, Mohammed bin Salman.
Ndërkohë banorët e qytetit të Gazës në veri thanë se luftimet rreth spitalit Al Shifa ishin më intensivet prej disa muajsh. Izraeli tha se kishte vrarë 90 persona të armatosur. Hamasi mohoi të kishte pasur luftëtarë të pranishëm në spital dhe tha se të vrarët ishin civilë.
Ditët e fundit luftimet në pjesët veriore të Gazës janë intensifikuar.
Misioni i zotit Blinken vjen në një kohë tensionesh në marrëdhëniet mes administratës së Presidentit Joe Biden dhe qeverisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanjahu.