Presidentja e vendit Vjosa Osmani sot ka takuar, Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.
Blinken ka përmendur Osmanin, gjatë një konference për media për themelimin e Qendrës Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Ndërkaq, Kosova është një ndër tre shtetet e botës që është pjesë e kësaj nisme të ShBA-së, dhe Blinken e falënderoi të parën e vendit, për kontributin e dhënë për këtë qendër.
“Këtë vit ‘Gratë, Paqja dhe Siguria’ janë krijuar në Kosovë dhe Kolumbi, dhe e kemi presidenten Vjosa Osmani që është e pranishme këtu. Presidentja Osmani ka pasur rol kyç në iniciativë, pra këto janë inkubatorë të ideve e inovacionit, dhe do të kemi qendër të tretë në Filipine”, ka thënë Blinken.
Zyra e Presidentes është përzgjedhur në mesin e 3 partnerëve globalë nga Zyra e Sekretarit Blinken për ta themeluar Qendrën Rajonale të Ekselencës për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.
Marrëveshja për themelimin e kësaj Qendre është nënshkruar nga Osmani dhe Zyra e Blinkenit në prill 2024, gjatë Forumit për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. /Gazeta Enigma