Ish-kreu i Aleancës , Ramush Haradinaj, ka përkujtuar 28-vjetorin e Masakrës së Abrisë së Epërme.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka kujtuar viktimat e kësaj masakre, duke e cilësuar atë si një ngjarje tragjike që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e Kosovës.
“Sot, në përvjetorin e masakrës në Abri të Epërme, kujtojmë me dhimbje të thellë këtë ngjarje tragjike që la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë. 28 vjet më parë, forcat serbe kryen një akt barbar ndaj familjes Deliu, duke ekzekutuar 23 anëtarë, nga foshnja disa muajshe deri te plaku 94 vjeçar. Ata ishin shqiptarë të pafajshëm që dëshironin vetëm të jetonin të lirë në trojet e tyre”, shkroi Haradinaj.
Ai ka përmendur edhe mësuesin Vesel Demaku dhe dy nxënësit e tij, Valdet Xhemajlin dhe Afrim Hajdarin, të cilët ranë duke luftuar kundër forcave serbe.
“Po atë ditë, mësuesi trim Vesel Demaku, së bashku me dy nxënësit e tij, Valdet Xhemajli dhe Afrim Hajdari, ranë duke luftuar me guxim kundër armikut, duke mbrojtur lirinë deri në frymën e fundit. Kosova e pagoi shtrenjtë okupimin me spastrim etnik, shkatërrime dhe humbje njerëzore. Por vullneti ynë për liri dhe pavarësi mbeti i palëkundur. Lavdi e përjetshme Martirëve të Abrisë dhe të gjithë atyre që sakrifikuan për Atdheun”, tha Haradinaj.
