Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama në një konferencë për media ka reaguar ndaj bllokimit të buxhetit nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, duke paralajmëruar se ky vendim po e vë në rrezik funksionimin e institucioneve lokale në kryeqytet.
Rama tha se situata financiare është serioze dhe se shërbimet për qytetarët po rrezikohen si kurrë më parë.
“Në historinë e shtetit të Kosovës, rrallëherë kemi parë të rrezikohen qytetarët deri në këtë shkallë. Për më shumë se një vit, kanë alokuar buxhetin që i duhet kryeqytetit, por buxheti i Prishtinës është bllokuar për çështje politike. Ne kemi dorëzuar kallëzim penal ndaj ministrit Murati për shkelje të ligjit; jemi drejtuar te kryeministri, te presidentja dhe te Gjykata Kushtetuese. Qytetarët e Prishtinës kanë mbetur pa paga”, tha Rama gjatë konferencës për media.
Numri një i kryeqytetit, bëri të ditur se situata ka arritur në pikën kritike, duke konfirmuar ndërprerjen e transportit publik nga dita e nesërme. “Sapo e përfundova takimin me ndërmarrjen e transportit publik dhe, që nga nesër, transporti publik fatkeqësisht do të ndalet. Me keqardhje të thellë e them se nuk e kam besuar se qytetarët e këtij vendi do të viheshin në rrezik për shkak të çështjeve të biznesit”, u shpreh kryetari i Prishtinës.
Ai iu bëri thirrje institucioneve qendrore që të ndërhyjnë menjëherë për të zhbllokuar situatën. “Në cilësinë e kryetarit të kryeqytetit, qytetarët janë përcaktuar që unë ta drejtoj edhe për një mandat. Ju bëj thirrje të gjitha institucioneve, zyrtarëve dhe ministrave: veproni. Zgjedhjet kanë përfunduar, tani është koha t’u kthehemi punës”, shtoi ai.
