Bloomberg: Trump u ka kërkuar shteteve të Ballkanit t’i pranojnë migrantët e dëbuar

Bloomberg: Trump u ka kërkuar shteteve të Ballkanit t’i pranojnë migrantët e dëbuar

Administrata e presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, po ushtron trysni ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që t’i pranojnë migrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara, shkruan agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar mediumin Bloomberg News.

Kërkesat ndaj vendeve të rajonit janë pjesë e një strategjie më të gjerë të SHBA-së për të gjetur qeveri të huaja, të gatshme për të pranuar migrantët e dëbuar, raporton Bloomberg, duke cituar burime që kanë dijeni për këtë çështje.

Agjencia shkruan se Shtëpia e Bardhë, Departamenti amerikan i Shtetit dhe Ministria e Jashtme e Serbisë nuk u janë përgjigjur ende kërkesave të saj për koment.

Muajin e kaluar, Gjykata Supreme e SHBA-së i lejoi administratës Trump të tërheqë statusin e përkohshëm ligjor për qindra mijëra migrantë nga Venezuela, Kuba, Haiti dhe Nikaragua, që jetojnë në SHBA, duke forcuar kështu përpjekjet e presidentit republikan për shtimin e dëbimeve.

Sipas Bloomberg-ut, administrata Trump po kërkon destinacione të mundshme për migrantët që mund të dëbohen si rezultat i këtij vendimi.

Related Articles