Bogujevci: Albulena ka më shumë përvojë se unë brenda Kuvendit

Bogujevci: Albulena ka më shumë përvojë se unë brenda Kuvendit

Deputetja e Vetëvendosjes, Saranda Bogujevci, tha se nuk mund ta determinojnë partitë tjera kënd e propozon Lëvizja Vetëvendosje për kryetar apo kryetare të Kuvendit.

Deklarata e Bogujevcit vjen pasi kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha se partia e tij do të votonte pro nëse ajo do të propozohej për kryetare të Kuvendit.

“Nëse dikush e meriton dhe e ka mbështetjen e gjithësecilit prej nesh është Albulena Haxhiu. Nuk mundet një grup individësh nga subjektet tjera politike ta determinojnë”.

E pyetur për përvojën e saj si nënkryetare të Kuvendit, Bogujevci tha se bashkëpartiakja e saj ka më shumë përvojë brenda Parlamentit.

“Albulena Haxhiu ka përvojë shumë më të gjatë brenda Parlamentit sesa kam unë. Pak rëndësi ka ajo. Pse duhet të jem unë dhe jo Albulena Haxhiu. Nuk po refuzoj, por ne e kemi propozimin tonë si Lëvizje Vetëvendosje, të cilën e përkrahim që të gjithë brenda partisë dhe nuk mundet një tjetër subjekt politik ta determinojë se kënd e kemi kryetar apo kryetare”.

Ndërkaq, për komentet e opozitës që Haxhiu është një figurë përçarëse, prandaj s’e votojnë, Bogujevci tha se kjo narrativë përdoret për gratë brenda politikës dhe jo për burrat.

“Pse përcarëse? Pse ka qenë e zëshme, pse s’është zmbrapsur kurrë? Kur vjen puna te një grua kur është e zëshme qenka përçarëse? Pse s’është diskursi i njëjtë në raport me burrat?  E kemi mundësinë e artë ta kemi një kryetare të Kuvendit dhe një grua që besoj shumë në përfaqësimin më të mirë të mundshëm”.

LEXO EDHE:

Related Articles