Një stuhi dëbore në verilindje të Kinës ka lënë një person të vdekur dhe mijëra të prekur nga kjo stuhi duke ndërprerë trafikun dhe duke mbyllur shkollat.
Vdekja u raportua në Tongliao, ku bora arriti 59 centimetra pas rënies së borës për 46 orë, më e gjata e regjistruar që nga viti 1951, sipas transmetuesit shtetëror kinez CCTV, shkruan AP.
Bora e madhe shtypi serat në tokat bujqësore dhe bllokoi rrugët.
Pas lëshimit të një paralajmërimi për stuhi dëbore gjatë fundjavës, autoritetet lokale në tre provinca urdhëruan mbylljen e shkollave dhe aeroporteve.
Administrata Qendrore Meteorologjike Kineze tha të mërkurën se vala e ftohtë në rajonin verilindor po merr fund, por reshjet e borës do të vazhdojnë me intensitete më të vogla deri të enjten./Gazeta Enigma/