Bora e madhe ngujon njerëzit në vetura, së paku 21 të vdekur në Pakistan

Bora e madhe ngujon njerëzit në vetura, së paku 21 të vdekur në Pakistan

Të paktën 21 persona kanë vdekur, pasi reshjet e dendura të borës i ngujuan në veturat e tyre në pjesën veriore të Pakistanit.

Ushtria po mundohet që t’i pastrojë rrugët dhe t’i shpëtojë njerëzit tjerë, që ende janë të ngujuar afër qytezës Murree, shkruan BBC.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme, Sheikh Rashid, rreth 1.000 automjete janë bllokuar në një autostradë gjatë një stuhie bore.

Murree është qytezë malore në veri të kryeqytetit Islamabad. Mediet lokale raportuan të shtunën se turistët po mbeten të bllokuar për shkak të borës.

Më shumë se 100.000 vetura kanë hyrë në Murree ditëve të fundit për t’i parë reshjet jashtëzakonisht të dendura të borës. Kjo shkaktoi tollovi të madhe trafiku në rrugët që çojnë në këtë qytezë, tha policia.

Zona tashmë është shpallur vend fatkeqësie dhe njerëzve u është bërë thirrje që ta shmangin atë. Kryeministri Imran Khan tha se është i tmerruar nga vdekja tragjike e turistëve. “Kam urdhëruar hetime dhe kam vendosur rregulla të fuqishme për ta siguruar parandalimin e tragjedive të këtilla”, tha ai përmes një postimi në Twitter./Gazeta Enigma/

Related Articles