Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme, Josep Borrell, me rastin e Ditës së Lirisë së Shtypit tha se liria e medias mbetet nën kërcenim.
“Veçanërisht shqetësuese është dhuna me bazë gjinore ndaj gazetarëve,” tha Borrell në një deklaratë për media, raporton agjencia e lajmeve Kuna.
Borrell përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Twitter, ka thënë se liria si gur themel i shoqërisë demokratike, mund të lulëzojë vetëm nëse qytetarët kanë qasje në informacion të besueshëm dhe mund të bëjnë zgjedhje të informuara.
“Liria e shtypit do të thotë siguri për të gjithë”, shtoi Borrell.
Sipas tij, pandemia e ka përshpejtuar erozionin e lirisë së medias në të gjithë botën.
“Ne duhet të veprojmë për ta përmbysur këtë prirje sepse pa informacion të lirë dhe të saktë, nuk mund të funksionojë demokracia”, është shprehur ai.