Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, ka thënë se shtetet anëtare të Unionit janë duke e humbur durimin me situatën në Kosovë, duke thënë se kërkohen veprimet të shpejta për të ulur tensionet.
Ai këtë deklaratë e bëri pas një takimi me kryeministrin shqiptar Edi Rama, të cilin e falënderoi për “përpjekjet dhe mbështetjen për të gjetur një zgjidhje” për situatën në Kosovë.
“E bëra të qartë dhe ky është edhe pozicionimi i shteteve anëtarë – që palët duhet të deeskalojnë situatën dhe të gjejnë një zgjidhje përpara në bazë të një udhërrëfyesi europian që i është propozuar atyre në tavolinë javën e kaluar”, tha Borrell në konferencën e përbashkët për media me Ramën, duke shtuar se kërkohet urgjencë për të shtensionuar situatën.
“Shtetet anëtarë kanë pajtim për këtë urgjencë dhe janë duke e humbur durimin ndaj kësaj situate që po vazhdon dhe kërkohen veprime të menjëhershme”.