Shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell u bëri thirrje të shtunën të gjitha palëve që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm në Lindjen e Mesme pas sulmeve të SHBA-së ndaj grupeve të lidhura me Iranin në Siri dhe Irak, raporton agjencia e lajmeve Agence France-Presse (AFP).
“Të gjithë duhet të përpiqen të shmangin që situata të bëhet shpërthyese,” tha Borrell në një takim të ministrave të jashtëm të BE-së në Bruksel.
Borrell nuk iu drejtua drejtpërdrejt sulmeve të SHBA-së, por përsëriti një paralajmërim se Lindja e Mesme “është një kazan që mund të shpërthejë”.
Ai vuri në dukje luftën në Gaza, dhunën përgjatë kufirit libanez, bombardimet në Irak dhe Siri dhe sulmet ndaj anijeve në Detin e Kuq. “Kjo është arsyeja pse ne i bëjmë thirrje të gjithëve që të përpiqen të shmangin një përshkallëzim,” tha Borrell.
BE-ja synon të nisë një mision detar në Detin e Kuq më vonë këtë muaj për të ndihmuar në mbrojtjen e anijeve ndërkombëtare nga sulmet e Huthëve të Jemenit. Borrell tha se misioni do të ishte “mbrojtës” dhe nuk do të kryente asnjë sulm në tokë kundër rebelëve jemenas.