Kryediplomati evropian, Josep Borrell, ka fajësuar Kosovën që nuk e ka pranuar propozimin e BE-së për çështjen e targave në Bruksel, kurse Serbia po.
Madje, ai ka përsëritur dy herë kërkesën e tij karshi Kosovës, që Qeveria Kurti të pezullojë menjëherë vendimin për targat ilegale, teksa ka folur edhe për propozimin të ashtuquajtur ‘franko-gjerman’ për normalizimin e marrëdhënieve Prishtinë-Beograd.
Megjithëse, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha para gazetarëve se Borrell hoqi dorë nga ky afati i marsit të vitit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
“Së pari, tani pres që Kosova të pezullojë menjëherë fazat e mëtejshme që kanë të bëjnë me ri-regjistrimin e automjeteve në veri të Kosovës. E përsëris: Tash pres që Kosova të pezullojë menjëherë fazat e mëtejshme lidhur me riregjistrimin e automjeteve në veri të Kosovës. Dhe Serbia të pezullojë lëshimin e targave të reja me emërtimet e qyteteve të Kosovës, përfshirë targat KM”, tha Borrell, pas dështimit të një ujdie mes Kosovës dhe Serbisë.
Në anën tjetër, Borrell tha se propozimi që e kanë shtruar në tavolinë e që mori mbështetje Franca dhe Gjermania, është rruga e mundshme për të dalë nga kjo krizë.
“Nga ana ime, unë do ta mbaj Dialogun shumë lart në axhendën time, me mbështetjen e Përfaqësuesit Special të Bashkimit Evropian [për dialogun Beograd-Prishtinë], Miroslav Lajçak. Dhe dua ta lavdëroj për punën e tij, për durimin e tij, për angazhimin e tij të fortë. Për sa i përket propozimit që së bashku kishim shtruar dhe që mori mbështetje të fortë nga Franca dhe Gjermania, mendoj se është ende rruga e mundshme për të dalë nga kjo krizë, me perspektivën e normalizimit dhe përmbushjes së plotë të çdo angazhimi, angazhimi dhe marrëveshjeje”, theksoi diplomati spanjoll.
Krejt në fund, ai tha se shpreson që të dyja palët të veprojnë sipas kërkesave të tij për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm dhe një krizë të re të rrezikshme.