Bosnja lëshon urdhërarrest ndërkombëtar për Milorad Dodikun

Bosnja lëshon urdhërarrest ndërkombëtar për Milorad Dodikun

Një gjykatë në Bosnjë ka lëshuar urdhërarrest ndërkombëtar për udhëheqësin serb të Bosnjës, Milorad Dodik.

Dodik akuzohet për sulm ndaj rendit kushtetues dhe  është larguar nga vendi, njoftoi të enjten gjykata.

Dodiku, president i Republikës Serbe të Bosnjës, e ka shkaktuar krizën më të rëndë që nga lufta e viteve të nëntëdhjeta, pasi u dënua me një vit burgim dhe iu ndalua marrja me politikë për gjashtë vjet për shkak të shpërfilljes së vendimeve të një emisari ndërkombëtar të paqes, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”, transmeton Gazeta Enigma.

Dodiku ka marrë nisma për miratimin e legjislacionit që ua ndalon gjyqësorit dhe policisë shtetërore operimin në Republikën Serbe, por Gjykata Kushtetuese e Bosnjës e ka pezulluar përkohësisht këtë masë.

Duke sfiduar një urdhërarrest të lëshuar brenda vendit, Dodiku shkoi në Seri më herët këtë javë e më pas udhëtoi për në Izrael për të marrë pjesë në një konferencë për antisemitizmin në Jerusalem të enjten.

Gjykata boshnjake tha se një urdhërarrest ndërkombëtar është lëshuar edhe për Nenad Stevandiqin, kryetar i Kuvendit të Republikës Serbe, i cili kishte udhëtuar në Serbi, por tani është kthyer në Bosnjë.

Në një deklaratë, gjykata tha se urdhërarrestet janë lëshuar në policinë ndërkombëtare Interpol.

Related Articles