Botuesi i veprave të Ismail Kadaresë, Bujar Hudhri, ka rrëfyer për momentet e fundit të shkrimtarit. Ai tha se ishte njoftuar për gjendjen e tij, e kur i shkoi pranë e gjeti të shtrirë.
“Ishte moment dramatik kur më lajmëruan se duhej të vija se diçka kishte ndodhur. E pashë të shtrirë në korridor…e morëm, e hipëm në ambulancë, ishte në gjendje gati i ngrirë… Ishte një ambulancë e thjeshtë, pa një që mund t’i vijë në ndihmë të sëmurit dhe me zor çamë rrugën e Tiranës, ku ndonëse ulërinte sirena, njerëzit s’e hapnin rrugën”, deklaroi Hudhri, jashtë Teatrit të Operës dhe Baletit në Tiranë, pas homazheve te arkivoli i Kadaresë.
Ai tha para gazetarëve se me të mbërritur në spital, mjekët e morën në duar, por aty u vërejt se “diçka e keqe po ndodhte”.
“…Mund të shihje mobilizimin e mjekëve, çka tregonte se diçka jo e mirë po ndodhte, derisa heshti gjithçka”,tha drejtuesi i shtëpisë botuese, “Onufri”.