Në Ferizaj është arrestuar një person i cili dyshohet se brenda 15 minutave ka tentuar të kryejë dy grabitje të armatosura mbrëmë në rrugën ‘Vëllezërit Gërvalla’.
Përmes një komunikate për media, Policia njofton se 30-vjeçari dyshohet se nën kërcënimin e armës ka tentuar të vjedh një shumë të parave në një barnatore dhe në një dyqan frutash.
“Me datën 05.02.2024 në orën 22:20 dhe në orën 22:35, në dy raste të ndara, policia e stacionit në Ferizaj kishte pranuar informatat, se në rrugën ‘’Vëllezrit Gërvalla’’në Ferizaj, në një barnatore dhe në një dyqan frutash, një person i maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit kishte tentuar të kryej grabitje të parave, mirëpo këto veprime nuk arrinë ti kryej dhe largohet në drejtim të panjohur.
Ekipe të policisë, policët e rendit, hetuesit policorë të mbështetura edhe nga Njësia e Reagimit të Shpejtë ( NJRSH) kanë rrethuar zonën dhe kanë filluar kërkimin e personit të dyshuar, për të dy rastet e grabitjes së mbetur në tentativë, ndërsa janë marrë të gjitha veprimet hetimore rreth ekzaminimit të dy vendeve të ngjarjes nga krimteknikët dhe hetuesit policorë”, thuhet në komunikatë.
I dyshuari është identifikuar pasi rrobat e tij përputheshin me ato të cilat i kishte gjatë kohës që tentoi të kryejë grabitjen.
“Pas një pune intensive hetimore, shikimit të kamerave të sigurisë, provave të gjetura (rrobat e tij), të cilat janë përdorur dhe përputhen me ato që kishte tentuar të kryej grabitjet, hetuesit policorë kanë arritur që të identifikojnë, e më pas kanë arrestuar në shtëpinë e tij, të dyshuarin F.B ( M/K) i moshës 30 vjeçar, i cili është shoqëruar në stacionin e policisë në Ferizaj, konkretisht në sektorin e hetimeve”, njofton Policia.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Grabitje e mbetur në tentativë’.