Partia Laburiste ka arritur fitore bindëse në zgjedhjet parlamentare në Britani të Madhe të premten, duke i dhënë fund qeverisjes 14-vjeçare nga Partia Konservatore.
Laburistët e qendrës së majtë i kanë fituar shumicën dërrmuese të ulëseve në Parlamentin britanik, që përbëhet prej 650 vendesh, ndërsa Partia Konservatore e Rishi Sunakut e ka pësuar disfatën më të rëndë në historinë e vet.
Mëngjesin e së premtes, Keir Starmer u zotua se do të sjellë ndryshime në Britani si kryeministri i ardhshëm i vendit.
Sunak e pranoi humbjen më herët dhe tha se i ka telefonuar Starmerit për ta uruar për fitoren.
Starmer tha gjatë një fjalimi mëngjesin e së premtes se “ndryshimi fillon tani”.
“Ne kemi thënë se do t’i japim fund kësaj rrëmuje, dhe do ta bëjmë; ne kemi thënë se do t’ia nisim nga e para, dhe e kemi bërë. Sot, ne e fillojmë kapitullin e ri, e nisim punën e ndryshimeve, misionin e një ripërtërirje kombëtare dhe fillimin e ndërtimit të vendit tonë”, tha Starmer.
Ndërkohë, Sunak e mori përgjegjësinë për disfatën e partisë së tij dhe kërkoi falje.
“Ka shumë gjëra nga të cilat duhet të mësojmë dhe për të cilat duhet të reflektojmë dhe unë e marr përgjegjësinë për humbjen”, tha ai.
Përderisa Britania e ka shmangur trendin e kthimit nga e djathta që është parë së fundi në Evropë, përfshirë në Francë dhe në Itali, shumë prej rrymave të njëjta populiste paraqiten në Britani.
Udhëheqësi i Reform UK, Nigel Farage, bëri fushatë me mesazhe kundër emigrantëve dhe mori një pjesë të mbështetësve nga konservatorët, të cilët pritej të përballeshin me zhgënjim.
Farage u bë deputet për herë të parë, pasi partia e tij i fitoi katër ulëse në Parlament në zgjedhjet e 4 korrikut.