Britania e Madhe ka ndërmarrë një nismë diplomatike ndërkombëtare për të adresuar krizën në Ngushticën e Hormuzit, një nga arteriet kryesore të tregtisë globale të energjisë.
Ministrja e Jashtme britanike, Yvette Cooper, zhvilloi një takim virtual me përfaqësues të mbi 40 shteteve, përfshirë vende europiane dhe partnere ndërkombëtare, me qëllim koordinimin e përpjekjeve për rihapjen e kësaj rruge detare jetike.
“Kemi parë Iranin të marrë peng një rrugë ndërkombëtare të transportit detar dhe ta përdorë atë për të mbajtur peng ekonominë globale. Kjo po godet rrugët tregtare të vendeve të Gjirit, por edhe furnizimet me gaz natyror për Azinë, plehrat kimike për Afrikën dhe karburantin për avionët në mbarë botën”.
Kriza është përshkallëzuar pasi Irani ka ndërmarrë masa që kanë çuar në bllokimin efektiv të kalimit detar, në përgjigje të sulmeve të fundit nga Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli.
Në këtë kuadër, pjesëmarrësit në takim po shqyrtojnë masa të përbashkëta diplomatike dhe ekonomike, si dhe mënyra për të garantuar sigurinë e anijeve dhe ekuipazheve të bllokuara në zonë.
“Në këtë takim do të fokusohemi në masa diplomatike dhe ndërkombëtare, përfshirë mobilizimin e të gjitha mjeteve tona ekonomike dhe politike, bashkëpunimin me industrinë dhe kompanitë e sigurimit, si dhe veprime konkrete për të garantuar sigurinë e anijeve dhe hapjen e qëndrueshme të ngushticës.”
Ndërkohë, kryeministri britanik Keir Starmer ka theksuar se komuniteti ndërkombëtar duhet të shqyrtojë të gjitha opsionet për rikthimin e lirisë së lundrimit, në një kohë kur çmimet e energjisë po rriten ndjeshëm në tregjet globale.
