Britania e Madhe e ka mirëpritur arritjen e marrëveshjes për targat në mes të Kosovës dhe Serbisë.
Ministri për Evropën Leo Docherty, tha se palët duhet të ulen në tryezë dhe të bisedojnë për normalizim të plotë të marrëdhënieve.
“E mirëpres marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në hapat për uljen e tensioneve. Është jetike që të dyja vendet tani të ulen në tryezë që të bëjnë progres në dialogun e lehtësuar nga BE-ja drejt normalizimit të marrëdhënieve, për të mirën e të gjithë qytetarëve”, ka shkruar ai në Twitter
Të mërkurën, përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, njoftoi lidhur me marrëveshjen për targat. Borrell dha detaje lidhur me këtë arritje.
Ai tha se pala serbe do të ndalojë prodhimin e targave të tjera ilegale deri ajo kosovare do të ndalojë aplikimin e masës së gjobës.
Kryediplomati i BE-së tha se ditëve në vazhdim do ta ftojë Kosovën dhe Serbinë që të ulen dhe të bisedojnë për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve.