I Dërguari i Posaçëm i Britanisë së Madhe për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, ka thënë se nga shteti që ai vjen së fundi janë listuar 27 individë nga e mbarë bota, ku në mesin e tyre ka edhe shqiptarë që janë të përfshirë në korrupsion serioz.
Peach tha se këtë javë, ata morën veprime frenuese kundër disa individëve shqiparë në lidhje me krimin dhe korrupsionin, të publikuara gjerësisht e të dokumentuara.
“Kjo është vala e parë e një serie veprimesh për të inkurajuar llogaridhënien dhe për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë. Mbretëria e Bashkuar ka një sërë mjetesh të vlefshme për të ndaluar individët që kanë lidhje me krimin dhe korrupsionin, përfshirë emigracionin dhe ndërprerjen e lidhjeve ekonomike”, është shprehur Peach.
Tutje, britaniku i Posaçëm për Ballkanin Perëndimor në një opinion të tij tha se do të krijojnë një regjistër të ri të subjekteve jashtë vendit mbi aktin e krimit ekonomik, që u kërkon të gjithë atyre që fshihen pas kompanive të huaja dhe që zotërojnë prona në Mbretërinë e Bashkuar të bëjnë publik identitetin e tyre.
“Gjithashtu, kemi ngritur “Njësinë e re të Kleptokracisë”, në Agjencinë Kombëtare të Krimit, për të vënë në shënjestër shmangien e sanksioneve dhe aseteve të rusëve të korruptuar, që fshihen në Mbretërinë e Bashkuar”, është shprehur Peach.