Pas largimit të ambasadorit Michael Davenport, OSBE-ja në Kosovë ka emëruar Cornelia Taylor si Ushtruese Detyre të Shefit të Misionit.
Taylor e prezantoi veten në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vjenë, ku u diskutuan sfidat dhe përparimet në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, shkruan Gazeta Enigma.
Ambasadori britanik në OSBE, Neil Holland, e përshkroi raportin e Taylor si shqetësues për mungesën e progresit në normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se kjo situatë ka implikime negative për jetën e përditshme të qytetarëve dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.
Holland përshëndeti vendimin e Qeverisë së Kosovës për heqjen e ndalimit të hyrjes për mallrat serbe, duke e konsideruar këtë si një hap pozitiv për tregtinë e lirë në rajon.
Ai gjithashtu theksoi nevojën për angazhim konstruktiv të të dyja palëve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Ambasadori britanik gjithashtu nxori në pah rëndësinë e integrimit të plotë të komuniteteve joshumicë në shoqërinë kosovare, duke inkurajuar serbët e Kosovës të angazhohen në procesin demokratik dhe të marrin pjesë në shërbimin publik.
Holland përfundoi duke ritheksuar përkushtimin e Britanisë së Madhe ndaj Kosovës, duke theksuar se ajo mbetet një mbështetje e fortë për pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës, dhe do të vazhdojë të promovojë një shoqëri gjithëpërfshirëse dhe multietnike./GazetaEnigma/