Të gjitha katër skuadrat kosovare kishin shpresa të mëdha se do të kalonin kundërshtarët e parë evropianë. Por vetëm Drita e bëri këtë, ndërkohë që Ballkani, Llapi e Gjilanin dështuan në sfidat e deritashme në garat kontinentale.
Drita në rundin e parë kualifikues të Ligës së Konferencës e ka kaluar skuadrën finlandeze, Inter Turku. Tani luan me skuadër dukshëm më të madhe, Antwerpin belg.
Ndeshja e parë e rundit të dytë kualifikues të Ligës së Konferencës është të enjten e ardhshme në Belgjikë. Ndeshja e kthimit luhet në Prishtinë më 28 korrik.
Të trimëruar nga triumfi ndaj Turkut, të Drita presin paraqitje të mira edhe me ekipin e kampionatit të vlerësuar belg.
Rron Broja ishte prej lojtarëve më të mirë ndaj Turkut. Ai pritet të jetë i rëndësishëm edhe në ndeshjen në Belgjikë, vend ku e ka kaluar një periudhë të karrierës. Mesfushori mitrovicas vlerëson suksesin e deritashëm të Dritës.
“Mendoj se angazhimi dhe motivi i madh na ndihmuan që ta kalojmë rundin e parë të Ligës së Konferencës”, ka thënë Broja të premten për KOHËN.
Drita kishte humbur 1:0 në Finlandë, ndonëse kishte dominuar në fushë. Ndërkohë në “Fadik Vokrri” në Prishtinë fitoi 3:0 dhe kishte raste edhe për disa gola të tjerë.
“Në ndeshjen e parë ishim më të kujdesshëm sepse nuk kishim shumë njohuri për kundërshtarin. Por edhe atje zhvilluam ndeshje shumë të mirë. Ndërsa në ndeshjen e kthimit mendoj se kemi luajtur lojë perfekte, në të gjitha aspektet”, ka shtuar mesfushori 26-vjeçar.
Drita nuk ka shumë kohë në dispozicion për t’u përgatitur për ndeshjen e vështirë me ekipin belg.
“Disponimi në ekip është mjaft i mirë. Ndërsa ndeshjet me Antwerpin do të jenë mjaft të vështira. Mirëpo gjithmonë do të besojmë dhe do të japim maksimumin dhe të shohim çka do të sjellin ndeshjet”, ka theksuar Broja.
Ai është një prej tre lojtarëve mitrovicas te Drita. Ndeshje të madhe me Turkun kishte edhe mesfushori tjetër, Muharrem Jashari, ndërsa Arbnor Muja shkëlqeu me dy gola e një asistim.
Drita ka ruajtur strukturën e edicionit të kaluar, ndërsa ka shtuar cilësi me transferimin e disa lojtarëve.
“Kemi ekip me shumë cilësi dhe shpresoj shumë se do të zhvillojmë ndeshje të mëdha në rundin e dytë kualifikues”, thekson Broja.
Ai është rritur te Trepça ’89, ndërsa në moshë të re ka kaluar te Genti në Belgjikë, që në fillim të vitit 2015. Më pas ishte te skuadra tjetër belge, Deinze.
U kthye te 89-shi në vitin 2016, ndërsa më pas ka luajtur edhe me Shkupin dhe Partizanin e Tiranës. Te Drita është prej edicionit të kaluar.
Broja, i njohur si mesfushor shumë punëtor, ka luajtur për U21 të Shqipërisë e të Kosovës. Ka tri paraqitje me seniorët e Kosovës.
“Koha në Belgjikë për mua ka qenë një eksperiencë shumë e mirë. Më ka ndihmuar shumë si në karrierën e futbollit, ashtu edhe në jetë në përgjithësi”, thotë Broja.
Antwerpi ishte i katërti në kampionatin belg në edicionin e kaluar. Ka shumë lojtar të huaj në përbërje. Kampionati belg vlerësohet në futbollin evropian, shumë më tepër se kampionati i Finlandës, për shembull.
“Kampionati belg është nivel shumë i lartë. Belgët kanë infrastrukturë jashtëzakonisht të mirë. Në aspektin fizik, skuadrat në Belgjikë qëndrojnë shumë mirë”, tregon Broja.
Në rundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës paraqitet edhe Ballkani. Ballkani është bartur në këtë garë, pasi u ndal në rundin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.
Ballkani ka kundërshtar dukshëm më të lehtë, skuadrën nga San Marino, La Fiorita.
Ndeshja e parë është më 19 korrik në San Marino, ndërsa e kthimit më 26 korrik në Prishtinë.