Një person ka humbur jetën dhe tre të tjerë janë plagosur, në kryeqytetin hungarez pasi një zjarr shpërtheu në një spital, raporton Gazeta ‘Enigma’.
Zjarri ra orët e para të mëngjesit të së dielës, sipas një zëdhënësi të policisë hungareze. Nuk janë të qarta për momentin shkaqet e tragjedisë, theksoi Angelika Molnar, ndërsa shtoi se po hetohet për ngjarjen e ndodhur në një spital në qendër të Budapestit.
Flakët kanë nisur nga njësia e dezinfektimit, në katin përdhesë të spitalit St. Imre në Budapest. Zjarri u përhap në një dhomë ngjitur ndërsa tymi përfshiu zonën përreth.
Stafi transferoi 56 pacientë në njësi të tjera. Pas shuarjes së zjarrit, zjarrfikësit kanë gjetur të vdekur një të re, tha përfaqësuesi i urgjencës, Mate Kisti.
Tre persona të tjerë u asfiksuan dhe u dërguan në një spital tjetër për trajtim, tha stafi./Gazeta Enigma/