Ish-komandanti i Zonës Operative të Nerodimes, Shukri Buja, ka zbuluar një fushatë propagande që e përfshiu UÇK-në në verën e vitit 1998, e cila përfshinte shpifje dhe thashetheme të rënda për udhëheqësit e Ushtrisë.
Sipas Bujës, në korrik të atij viti, përhapeshin aludime se ai kishte braktisur vijat e frontit dhe nuk po merrte pjesë në luftime, një propagandë që filloi të përhapej madje edhe mes ushtarëve të UÇK-së dhe mori përmasa shqetësuese, shkruan Gazeta Enigma.
Një tjetër pjesë e kësaj fushate shpifjesh, sipas Bujës, kishte të bënte me një thashethemë se Jakup Krasniqi, zëdhënësi i UÇK-së, kishte marrë 100.000 marka dhe kishte ikur në Shqipëri.
Buja tregoi se pas këtyre aludimeve, ai dhe Krasniqi mbajtën një takim me qytetarët e Shalës, ku sqaruan situatën dhe luftuan këtë propagandë që kishte arritur të trondiste moralin e luftëtarëve.
Ai shtoi se kërkoi masa për të ndaluar përhapjen e këtyre thashethemeve dhe të mbrohej reputacioni i ushtarëve dhe komandantëve të UÇK-së.
Po ashtu, Buja përmendi edhe Fatmir Limajn, të cilin e kishte konsideruar si komandantin e tij të parë dhe anëtar të Shtabit të Përgjithshëm, deri në periudhën e fundit të korrikut të vitit 1998, kur mësoi se Limaj nuk ishte pjesë e Shtabit, por një koleg luftarak./GazetaEnigma/