Një kontingjent prej 97 ushtarë bullgarë janë nisur sot me një ceremoni zyrtare për t’iu bashkuar misionit të KFOR-it në Kosovë, raporton Gazeta “Enigma”.
Sipas raportimeve të agjencisë bullgare të lajmeve BTA, në ceremoni morën pjesë zyrtarë të lartë ushtarakë të këtij vendi. Zëvendësshefi i Mbrojtjes Mikhail Popov iu foli ushtarakëve për misionin që i pret si dhe situatën në Kosovë.
“E di që shumica prej jush keni marrë pjesë në misione. (…) Misionet nuk janë të njëjta. Çdo javë dhe çdo ditë është e ndryshme. Situata në Kosovë është aktualisht e qëndrueshme, por mund të ndryshojë ndjeshëm brenda disa orësh. Prandaj, jini të përgatitur të reagoni në mënyrë adekuate. Ndiqni procedurat standarde të operimit dhe urdhrat e komandantëve tuaj”, theksoi Popov.
“Jam i sigurt se përvoja dhe përgatitja juaj do t’ju lejojnë të performoni në një nivel të lartë. Gjithmonë mbani një mendim në kokën tuaj – në Kosovë ju nuk përfaqësoni Batalionin e 29-të të Mekanizuar, ju nuk përfaqësoni Forcat Tokësore. Para aleatëve tanë ju përfaqësoni Ushtrinë Bullgare, dhe para popullsisë lokale dhe autoriteteve lokale, ju jeni përfaqësues të NATO-s”, tha ai.
Sipas përditësimit të fundit në faqen zyrtare të NATO-s bërë në muajin maj të këtij viti, Bullgaria ka 127 ushtarë në misionin e Aleancës Veri-Atlantike në Kosovë.