Bullgaria nuk ka shfaqur interes të përfshihet në aleancën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, transmeton Gazeta Enigma.
Kështu ka deklaruar Ministri i Jashtëm bullgar, Georg Georgiev, i cili ka mohuar raportimet se Bullgaria ka shprehur interes jozyrtar për t’iu bashkuar Deklaratës mbi Forcimin e Bashkëpunimit të Mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, e nënshkruar më 18 mars në Tiranë.
Në një përgjigje me shkrim drejtuar deputetëve bullgarë Xhipo Xhipov dhe Elisaveta Belobradova nga grupi “Vazhdo Ndryshimin – Bullgaria Demokratike”, Georgiev theksoi se informacionet publike që aludojnë për interesim të Bullgarisë janë të pasakta.
Ai shtoi se Ministria e Jashtme bullgare ka marrë një kopje zyrtare të deklaratës përmes një note verbale nga Ambasada e Shqipërisë më 25 mars, por nuk është ftuar zyrtarisht për anëtarësim dhe as nuk është konsultuar në asnjë fazë të nismës.
Deklarata e përbashkët mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë synon të thellojë bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes, duke përfshirë përgjigje të përbashkëta ndaj sfidave të sigurisë, kërcënimeve hibride dhe trajnime të përbashkëta ushtarake.
Në mars, ministri shqiptar i Mbrojtjes, Pirro Vengu, kishte deklaruar se Bullgaria kishte shfaqur interes për nismën. Edhe ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, në një deklaratë për “TRT Balkan” gjatë ditës së djeshme ka deklaruar se Bullgaria do t’i bashkohet kësaj nisme.