Gjykata Themelore në Prishtinë nxori sot aktgjykim dënues me burgim të përjetshëm ndaj Bllagoje Spasojeviq e Vlladimir Tolliq, të cilët u shpallën fajtorë për sulmin terrorist në Banjskë. I akuzuari i tretë, Dushan Maksimoviq u dënua me 30 vjet burgim.
Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha e ka quajtur të drejtë vendimin e gjykatës.
Në një intervistë për KosovaPress, menjëherë pas këtij vendimi, ai tha se me gjithë verdiktin e sotshëm, drejtësia nuk është e plotë pa u dënuar të gjithë ata që ishin të përfshirë në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, më 24 shtator 2023.
“Vlerësojmë që gjykatat e kanë kryer detyrën e tyre. Ka qenë një proces, mendoj, fer dhe i drejtë, sepse kështu janë ndërtuar institucionet e Republikës së Kosovës. Tash ta shohim a do të ketë ankesë ndaj këtij verdikti të gjykatës. Me siguri që do të bëjnë ankesë avokatët. Sidoqoftë, ky është një vendim i drejtë për ne dhe shpresojmë që edhe persona të tjerë të cilët janë të përfshirë në këtë proces, në rastin e Banjskës, sa më shpejt të arrestohen dhe t’u dorëzohen institucioneve tona të sigurisë, sepse procesi i Banjskës nuk është i kompletuar edhe drejtësia nuk e merr verdiktin e saj të plotë pa u dënuar të gjithë ata që kanë marrë pjesë në betejën e Banjskës, ata që ishin një grup terrorist i udhëhequr prej Radoiçiqit e të mbështetur, financuar, trajnuar e politikisht edhe nga aspekti logjistik, edhe politik nga Qeveria e Serbisë”, deklaroi Hoxha.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë tha se duhet presion më i madh i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë për dorëzimin te Kosova edhe të të akuzuarve tjerë në këtë rast.
“Mendoj që ky është një hap, një hap i mirë drejt drejtësisë së kompletuar. Sidoqoftë, siç thashë edhe më herët, drejtësia do të arrihet atëherë kur të gjithë ata që kanë qenë të përfshirë, përfshirë këtu edhe kryekriminelin që ka udhëhequr këtë grup kriminal terrorist, Radoiçiqi, do të jetë prapa grilave dhe do të marrë dënimin e merituar. Përndryshe, kjo është vetëm, ky është vetëm një hap i parë, e mbetet punë shumë e madhe, por në këtë rast duhet presion i madh i bashkësisë ndërkombëtare edhe besoj institucioneve tona, që derisa ata të mos dorëzohen, të mos ndalemi në mënyrë të pareshtur të kërkojmë që ata të përgjigjen para institucioneve tona të drejtësisë”, shtoi ai.
Gazmend Hoxha tha se 24 shtatori i vitit 2023 ishte ditë e rëndë për Republikën e Kosovës.
“Ka qenë një ditë shumë e rëndë për Republikën e Kosovës, data 24 shtator e vitit 2023. Unë vlerësoj që ka qenë sulmi më i rëndë që i ka ndodhur Kosovës që nga koha e pasluftës deri më sot, duke mos anashkaluar po ashtu dhe sulmin e Ibër Lepencit, mirëpo kjo ishte një sulm direkt i rëndë drejt shtetësisë tonë, drejt sovranitetit tonë, institucioneve tona të sigurisë, me qëllim që ajo pjesë e Kosovës të aneksohej dhe të krijohej një rend i ri, realitet i ri, ku do të kishte një mbretërim të terroristëve në atë zonë. Sidoqoftë, unë vlerësoj që Policia e Kosovës, institucionet tona të sigurisë, e më së shumti policët tanë që ishin në terren atë ditë, ka kryer një punë të shkëlqyer, duke ngadhënjyer dhe triumfuar ndaj këtij grupi terrorist, duke e mundur ushtarakisht grupin, politikisht gjithashtu, në shumë aspekte të tjera, u dëshmua që institucionet tona janë institucione të pjekura, demokratike dhe duke e rikthyer totalisht kontrollin në pjesën veriore të Kosovës dhe duke i mposhtur dhe arrestuar këta persona që po gjykohen sot, dhe duke pastruar komplet terrenin që atë ditë ishte krijuar domethënë një situatë tejet e rëndë për institucionet tona”, ka shtuar ai.
Si pasojë e sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, mbeti i vrarë rreshteri 50-vjeçar, Afrim Bunjaku ndërsa u plagosën tre policë të tjerë.
