Kur dera e shtëpisë nuk u hap as ditën e tretë, fqinjët lajmëruan policinë.
Efektivët që hynë nga dritarja konstatuan se burrë e grua në fshatin Rrapëz të Lushnjes kishin ndërruar jetë.
Qelibare dhe Islam Kalliri 81 dhe 90 vjeç po e kalonin të vetëm pleqërinë, pa fëmijët pranë.
Pasi u njoftuan për ngjarjen, fëmijë e të afërm të çiftit të moshuar mbërritën në banesë nga ku thanë se vdekja mund të jetë shkaktuar nga rrjedhja e gazit.
“Mamanë e kishim të fortë. Folëm pardje në drekë, na tha mos keni merak. Babanë e kishim të sëmurë, kishte një vit e ca. Ata ngroheshin me gaz,” tha ajo.
Qelibare dhe Islam Kalliri pak kohë më parë kishin shitur sobën me dru pasi nuk përballonin dot çmimin e lartë të lëndës drusore dhe e kishin zëvendësuar me një ngrohëse me gaz.
Hoqën sobën e drurit, s’ja dilnin dot të blinin drutë. Ngroheshin me gaz,” thanë ata.
Trupat e pajetë u transportuan drejt morgut aty ku do të bëhet ekspertiza mjekoligjore.
Rezultatet e ekspertizës si dhe hetimet në terren, pritet të hedhin dritë mbi rrethanat e ngjarjes së rëndë.