Burri dyshohet se e mbajti peng gruan në QKUK dhe kërcënoi se do të hidhet nga kati i 6

Burri dyshohet se e mbajti peng gruan në QKUK dhe kërcënoi se do të hidhet nga kati i 6

Një rast i rëndë u raportua mëngjesin e sotëm te Qendra Klinike Universitare e Kosovës, ku dyshohet se një grua është mbajtur peng nga një burrë brenda hapësirave të kësaj qendre.

Personi i dyshuar ka kërcënuar se do të hidhet nga kati i 6-të, për motive akoma të paqarta.

Bazuar në informacionet e para, Policia ka arritur të intervenojë bashkë me Zjarrfikësit, me ç’rast janë hasur palët dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Nga Policia e kanë konfirmuar rastin dhe kanë bërë me dije se viktima ka kërkuar ndihmë për shkak të frikës pasi burri i shkoi në vendin e punës.

I dyshuari i ka kufizuar lëvizjet bashkëshortes, por pas ndërhyrjes së Policisë, i dyshuari është kapur dhe është shoqëruar në stacion policor.

Lajmin e kanë konfirmuar për Sinjalin edhe nga Policia Rajonale në Prishtinë.

“Rreth orës 06:30, një grua ka kërkuar ndihmë nga policia pasi që është ndier e frikësuar nga bashkëshorti i saj i cili i ka shkuar në vendin e punës dhe i ka kufizuar lëvizjen. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes, ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për sigurinë e ankueses, ndërkaq ka neutralizuar veprimet e të dyshuarit. Aktualisht policia po trajton rrethanat e raportuara që ndërlidhen me rastin, përderisa të dyshuarin e ka shoqëruar në stacioni policor si pjesë e vijimësisë hetimore.”

Related Articles