Në zënkat mes fëmijëve, në shumë raste përfshihen edhe të rriturit. Janë prindërit ata që në situata të caktuara ‘marrin drejtësinë’ në dorë dhe kërkojnë të qërojnë hesapet në mënyra të dhunshme.
Një rast i tillë ka ndodhur dje në afërsi të shkollës fillore të mesme të ulët në fshatin Doganaj të Kaçanikut, ku një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht një fëmijë.
Sinjali mëson se një dëshmitar i rastit e ka kapur në flagrancë të dyshuarin duke sulmuar të miturin dhe më pas lidhur me rastin është njoftuar Policia.
Njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë arrestuar të dyshuarin dhe të njëjtin e kanë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Bazuar në dëshminë e 37-vjeçarit, arsyeja e sulmit ndaj 13-vjeçarit vjen pasi ky i fundit dyshohet se ka rrahur djalin e tij.
Me urdhër të prokurorit, ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe i njëjti është dërguar në mbajtje.